Kryeministri Edi Rama i ka kthyer përgjigje Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, pas ftesës së këtij të fundit që Shqipëria të marrë pjesë në Bordin e Paqes. Në një postim në rrjetet sociale ku ka shpërndarë edhe letrën e plotë, Rama shkruan se ky angazhim i Shqipërisë për të qenë pjesë e Bordit do t’i përcillet së shpejti Kuvendit për miratim.
“Sot i përcolla Presidentit Donald J. Trump përgjigjen e ftesës së tij për të marrë pjesë në Bordin e Paqes. Së shpejti angazhimi ynë do t’i përcillet Kuvendit të Shqipërisë për miratim”, tha Rama.
Në letrën e tij, Rama vlerëson angazhimin e Trump për themelimin e Bordit të Paqes dhe falënderimin për të ftuar atë personalisht për të qenë pjesë e tij dhe Shqipërinë si anëtare themeluese.
“Në një kohë kur konfliktet dhe përçarja dominojnë shumë shpesh panoramën ndërkombëtare, paqja duhet të formësohet aktivisht e jo të pritet pasivisht a diskutohet pafundësisht nëpër forume politike, teksa përreth globit jetë të pafajshme humbasin kotësisht çdo minutë. Bordi i Paqes shfaqet si mishërimi i kësaj domosdoshmërie urgjente”, shkruan Rama.
Ai shpreh gatishmërinë e plotë për të kontribuar në këtë përpjekje.
“Prandaj, është njëkohësisht privilegj dhe nder të shpreh gatishmërinë time të plotë për të kontribuar në këtë përpjekje të rëndësishme dhe për t’u bërë tërësisht pjesë e një angazhimi të përbashkët që synon ta përkthejë vizionin në veprim. Republika e Shqipërisë ka qenë prej kohësh një aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e lidhur nga vlera të përbashkëta, respekt i ndërsjellë dhe një përkushtim i përbashkët ndaj lirisë, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare”, shkruan ndër të tjera Rama.
Letra e plotë
Republika e Shqipërisë
Kryeministri
Tiranë, 19 janar 2026
Shkëlqesisë së Tij Z. Donald J. Trump
President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Washington, DC
I nderuar Zoti President,
Po ju shkruaj për të shprehur vlerësimin tim më të thellë për angazhimin tuaj të fortë dhe udhëheqjen vizionare në themelimin e Bordit të Paqes, si edhe për t’ju falënderuar sinqerisht për ftesën që më keni drejtuar personalisht për të qenë pjesë e tij, si edhe për ftesën drejtuar vendit tim, Republikës së Shqipërisë, për të shërbyer si anëtare themeluese.
Në një kohë kur konfliktet dhe përçarja dominojnë shumë shpesh panoramën ndërkombëtare, paqja duhet të formësohet aktivisht e jo të pritet pasivisht a diskutohet pafundësisht nëpër forume politike, teksa përreth globit jetë të pafajshme humbasin kotësisht çdo minutë. Bordi i Paqes shfaqet si mishërimi i kësaj domosdoshmërie urgjente.
Duke trajtuar njëkohësisht pasojat e menjëhershme të konflikteve dhe shkaqet më të thella strukturore që e prodhojnë paqëndrueshmërinë, kjo nismë ka potencialin të shndërrohet në një model vërtetë transformues të ndërtimit të paqes në nivel global.
Duket qartë se për të qenë një organizatë e re ndërkombëtare, Bordi i Paqes nuk është konceptuar si një forum tjetër deklaratash, procedurash dhe përgjegjësish të shtyra në kohë, por si një instrument i përqendruar dhe qëllimplotë i udhëheqjes dhe përgjegjësisë globale.
Kur filtrohet pafundësisht përmes shtresave të procedurave, paqja shumë shpesh mbërrin tepër vonë; kjo nismë mishëron me plot të drejtë kuptimin se koha, qartësia e mandatit dhe përgjegjësia personale në nivelin më të lartë janë vetë instrumente të paqes.
Prandaj, është njëkohësisht privilegj dhe nder të shpreh gatishmërinë time të plotë për të kontribuar në këtë përpjekje të rëndësishme dhe për t’u bërë tërësisht pjesë e një angazhimi të përbashkët që synon ta përkthejë vizionin në veprim.
Republika e Shqipërisë ka qenë prej kohësh një aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e lidhur nga vlera të përbashkëta, respekt i ndërsjellë dhe një përkushtim i përbashkët ndaj lirisë, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare.
Populli shqiptar do ta kujtojë gjithmonë dhe do ta çmojë vazhdimisht rolin parimor dhe vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, drejt vendosjes së paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë në momente kritike të historisë sonë të përbashkët. Në këtë frymë të qëndrueshme partneriteti, dëshiroj të ritheksoj se Republika e Shqipërisë qëndron me vendosmëri përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të gjitha përpjekjet për promovimin e paqes, sigurisë dhe angazhimit konstruktiv global.
Duke pritur me interes të kontribuoj në suksesin e misionit të Bordit të Paqes, ju lutem pranoni, Zoti President dhe Kryetar i Bordit, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Me respekt, Edi Rama
Kujtojmë se një ditë më parë, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, deklaroi se ftesa është një vlerësim i lartë që i është bërë Shqipërisë nga presidenti amerikan, Donald Trump. Ajo kritikoi reagimet e shumta që kanë qarkulluar në media dhe nga opozita duke hedhur poshtë deklaratat se anëtarësimi në bord është me pagesë.
Për këtë ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama i cili është shprehur se është gënjeshtër që për t’u anëtarësuar në Bordin e Paqes duhen 1 miliard dollarë, se do të sillen palestinezë në Shqipëri apo se aty marrin pjesë të gjitha vendet e OKB-së.
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi krijimin e një Bordi për Paqen (Board of Peace) për të mbikëqyrur zbatimin e një plani 20-pikësh për Gazën, një iniciativë që synon të çojë drejt paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve. Por në fokus të saj nuk do të jetë vetëm kjo çështje, por të gjitha konfliktet në botë.







