Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Socialiste kryeministri Edi Rama ka deklaruar se zv.kryeministrja dhe njëherësh ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë Belinda Balluku ia ka dorëzuar plot tre herë dorëheqjen deri më tani, por ka qenë ai që ka refuzuar.
“Dhe që të jemi të qartë bashkë Belinda Balluku ma ka dorëzuar 3 herë dorëheqjen. I kam në dosje atje. 3 herë, herën e parë kur fillimisht iu bë akuza, herën e dytë kur iu dha masa e parë në seancë paraprake dhe herën e tretë pas vendimit të Gjykatës së Kushtetuese dhe kam qenë unë që s’e kam pranuar sepse dorëheqje në presion dhe në cënim të pushtetit ekzekutiv nuk ka”, tha Rama.
Më tej ai e falënderoi zv.kryeministren Balluku për mënyrën se si e ka trajtuar gjithë këtë histori.
“Jam falënderues për faktin që nuk ka persistuar, por ka vazhduar ta marrë gjithë atë baltë në fytyrë sepse unë nuk e pranoj dorëheqjen deri kur të përcaktohen kushtet dhe këtë se përcakton as prokurori, as gjykatësi i seancës paraprake dhe as media, sepse kështu do i hapnim rrugë një hsitorie që pengon kapacitetet e pushtetit ekzekutiv.
Për ata që më tregojnë Danimarkën, u them se jemi në kushte të ndryshme në Shqipëri, jemi në një fazë revolucionare, transformuese.”, tha Rama.
Kryeministri Rama i bëri këto deklarata gjatë prezantimit për projektligjin që synon të zgjidhë çështjen e kompetencave mes ekzekutivit dhe gjyqësorit, që doli në pah pas pezullimit nga detyra të zv.kryeministres Balluku, me vendim të GJKKO-së.
“Kjo nismë thjesht dhe vetëm adreson boshllëkun mendor të shoqërisë sonë”, tha ai.
“Nuk ka fare lidhje me rastin konkret, nuk ka fare lidhje me pezullimin, por pezullimi është i papranueshëm. Ne do merremi me pezullimin për ta refuzuar me vullnetin e shumicës në Kuvend ndërhyrjen në pushtetin ekzekutiv në territorin Kushtetues në RSH. Askush s’duhet të mendojë se ka në dorë gurin dhe arrën për të goditur shumicën qeverisës dhe askush s’duhet të mendojë që kjo masë apo të tjera në vijim lidhet me vullnetin tonë për të ndërhyrë në drejtësi.
Ne duam një drejtësi të pavarur, fatmirësisht e kemi aq të pavarur sa një prokuror në një rreth lëshon 33 masa arresti dhe harron të arrestojë vetëm veten e vet. Nuk jam vetëm unë që i them këto, unë jam vetëm një zë pasi këto thuhen nga Këshilli i Evropës, raportotet e KiE-së ku Shqipëria për faqe të zezë renitet në fund fare të vendeve të gjithë kontinentit evropian, rrotë më rrotë me Rusinë të arrestimit në paraburgim të njerëzve pa hetim e pa gjyq. Sikur edhe një të jetë i pafajshëm ky është një problem por besoj se probabiliteti është më i lartë se kaq. Futen në paraburgim dhe harrohen brenda. Kjo është diçka me të cilën ne nuk mund të pajtohemi. Sa i përket pastaj çështjes së rastit konkret, rasti konkret është në një tjetër proces.”, tha Rama.







