Është publikuar traileri zyrtar i filmit biografik për Michael Jackson, me titull “Michael”, i cili sjell në qendër të vëmendjes jetën dhe karrierën e një prej figurave më ikonike të historisë së muzikës. Në rolin kryesor shfaqet Jaafar Jackson, nipi i mbretit të pop-it, i cili interpreton xhaxhain e tij në këtë projekt ambicioz kinematografik.
Filmi rrëfen historinë e Michael Jackson përtej skenës dhe famës, duke ndjekur rrugëtimin e tij që nga zbulimi i talentit të jashtëzakonshëm si lider i Jackson Five, deri në shndërrimin në një artist vizionar, ambicia krijuese e të cilit e shtyu vazhdimisht drejt synimit për t’u bërë artisti më i madh në botë. Filmi synon të pasqyrojë si jetën personale të yllit, ashtu edhe disa nga performancat më ikonike të karrierës së tij solo në vitet e hershme, duke i ofruar publikut një vështrim intim mbi figurën e Michael Jackson.
Megjithatë, as nga përmbledhja zyrtare dhe as nga traileri nuk bëhet ende e qartë nëse filmi do të trajtojë edhe aspektet më të diskutueshme dhe polemikat që shënuan vitet e fundit të jetës së artisti. Filmi mban firmën regjisoriale të Antoine Fuqua, ndërsa kasti përfshin emra të njohur të kinemasë. Miles Teller interpreton rolin e avokatit dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të Jackson, John Branca, Colman Domingo shfaqet si babai i tij Joe Jackson, Nia Long në rolin e nënës Katherine Jackson, ndërsa Jessica Sula interpreton motrën e tij, LaToya Jackson.
Në film marrin pjesë gjithashtu Larenz Tate si themeluesi i Motown Records, Berry Gordy, Laura Harrier si producentja muzikore pioniere Suzanne de Passe, Kat Graham në rolin e Diana Ross, si dhe Giuliano Valdi, i cili interpreton Michael Jackson gjatë epokës së Jackson 5. Filmi biografik “Michael” pritet të shfaqet në kinematë botërore më 24 prill 2026.







