Qielli mbi Mbretërinë e Bashkuar duket se nuk ka ndërmend të hapet. Sipas raportimeve dhe të dhënave nga Met Office, në Britani ka rënë shi çdo ditë që nga fillimi i vitit 2026, pa asnjë ndërprerje.
Reshjet kanë prekur çdo ditë të paktën një zonë të vendit, duke krijuar një situatë të pazakontë edhe për standardet e dimrit britanik. Rajone si Anglia jugperëndimore dhe Uellsi po përjetojnë një periudhë me reshje të përditshme që tejkalon ndjeshëm mesataren tipike sezonale, madje në disa zona janë thyer rekorde lokale.
Pasojat nuk kanë munguar. Paralajmërimet për përmbytje janë shtuar, toka është e ngopur dhe nuk përthith më ujë, ndërsa shumë banorë e përshkruajnë situatën si një “dimër që po përsëritet pa fund”.
Sipas ekspertëve, shkaku lidhet me një model të qëndrueshëm atmosferik që po drejton vazhdimisht sisteme me presion të ulët drejt Britanisë dhe po i mban ato të “parkuara” mbi territorin e saj. Kjo do të thotë se moti i thatë mbetet i paarritshëm edhe në parashikimet afatshkurtra.
Dhe nëse parashikimet konfirmohen, britanikët duhet të përgatiten për më shumë ditë me çadra në dorë.







