Melinda French Gates ka reaguar publikisht pas përfshirjes së emrit të ish-bashkëshortit të saj, bashkëthemeluesit të Microsoft-it Bill Gates, në dokumentet e reja që lidhen me Jeffrey Epstein, duke deklaruar se ky zhvillim ka rikthyer kujtime të dhimbshme nga martesa e tyre.
“Jam shumë e lumtur që jam larg gjithë kësaj llumi”, janë fjalët e saj. Melinda French Gates dhe Bill Gates u divorcuan në vitin 2021, pas 27 vitesh martesë.
Në një intervistë për podcastin Wild Card të NPR-së, filantropistja miliardere u shpreh se ndjen “trishtim të thellë” për akuzat që lidhen me Epstein dhe theksoi se personat e përmendur në dokumente duhet të japin përgjigje për to.
“Për mua është e vështirë sa herë që dalin në dritë këto detaje, sepse më rikthejnë kujtimet e disa periudhave shumë të dhimbshme në martesën time”, u shpreh ajo sipas BBC-së. Ajo shtoi: “Çfarëdo pyetjesh që mbeten, për gjëra që as nuk mund t’i kuptoj plotësisht, ato pyetje u takojnë atyre personave dhe edhe ish-bashkëshortit tim. Ata duhet të përgjigjen për këto gjëra, jo unë”.
Dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve përfshijnë një pretendim të Epstein se Bill Gates kishte kontraktuar një sëmundje seksualisht të transmetueshme, pretendim që Gates e ka mohuar kategorikisht.
Një zëdhënës i Bill Gates i cilësoi akuzat si “absolutisht absurde dhe plotësisht të pavërteta”, duke theksuar se ato vijnë nga “një gënjeshtar i provuar dhe i pakënaqur”.
Bill Gates nuk është akuzuar për asnjë shkelje nga viktimat e Epstein dhe përmendja e emrit të tij në dokumente nuk nënkupton përfshirje në ndonjë aktivitet kriminal.
Mediat amerikane raportojnë se Melinda French Gates kishte shprehur shqetësim për lidhjen e ish-bashkëshortit të saj me Epstein edhe para ndarjes së tyre. Pas shpalljes së divorcit, Bill Gates pranoi se kishte pasur një lidhje jashtëmartesore me një punonjëse të Microsoft-it në vitin 2019.
Pretendimet ndaj Bill Gates janë pjesë e mbi tre milionë dokumenteve të publikuara javën e kaluar nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve. Dy email-e të datës 18 korrik 2013, që dyshohet se janë hartuar nga Epstein, përmbajnë akuza të ndryshme, megjithëse nuk është e qartë nëse ato janë dërguar ndonjëherë te Gates. Pas publikimit të fundit, përfaqësuesit e Bill Gates deklaruan se dokumentet tregojnë vetëm përpjekjet e Epstein për të dëmtuar reputacionin e tij.







