Këngëtari shkodran Alis është shpallur fituesi i Festivali i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, duke rrëmbyer çmimin e parë në edicionin e 64-t me këngën “Nan”. Ky triumf i rëndësishëm i siguron Alisit të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2026, i cili do të mbahet në Vjenë të Austrisë.
Performanca e Alisit u konsiderua ndër më të spikaturat e këtij edicioni, falë potencës së jashtëzakonshme vokale, interpretimit autentik dhe një mesazhi universal për dashurinë dhe lidhjen njerëzore. Kënga “Nan” preku thellë publikun, duke krijuar një atmosferë emocionale të fortë në sallë dhe duke u shndërruar në një nga momentet më të paharrueshme të natës finale. Ovacionet dhe duartrokitjet e gjata dëshmuan reagimin e ngrohtë dhe mbështetjen e publikut për artistin shkodran.
Formula e votimit për përcaktimin e fituesit ishte e ndarë në mënyrë të barabartë: 50% e pikëve vinin nga juria profesionale dhe 50% nga votat e publikut. Nga ky kombinim, Alis arriti të grumbullojë gjithsej 152 pikë, duke u renditur i pari. Në vendin e dytë u pozicionua Inis Neziri me 102 pikë, ndërsa vendi i tretë shkoi për Sheila me 93 pikë.
Sa i përket vlerësimit të jurisë, Alis u rendit gjithashtu në vendin e parë, i ndjekur nga Shelia në vendin e dytë dhe Vedat Ademi në vendin e tretë. Çmimi i parë iu dorëzua Alisit në skenë nga kryetari i jurisë, Ramë Mahaj, në një moment simbolik që kurorëzoi suksesin e tij.
Me këtë fitore, Alis hap një kapitull të ri në karrierën e tij artistike, duke u bërë një nga përfaqësuesit më të rinj të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare të Eurovizionit, me pritshmëri të larta dhe mbështetje të madhe nga publiku shqiptar.





